Pagesat me kartë u rritën me 30 për qind për tremujorin e parë
Pagesat elektronike vijojnë të fitojnë terren në Shqipëri, ndërsa për të katërtin tremujor radhazi pagesat me kartë kanë kaluar numrin e tërheqjeve cash nga bankomatet.
Pagesat me kartë shënuan një tjetër rritje të fortë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave me kartë në terminalet POS arriti në 7.58 milionë transaksione, me një rritje prej 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për të katërtin tremujor radhazi, pagesat me kartë në terminalet POS kanë tejkaluar në numër tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, duke sinjalizuar një ndryshim të dukshëm në sjelljen e konsumatorëve dhe përdorimin më të madh të kanaleve elektronike.
Sipas të dhënave, përdoruesit e kartave bankare po i përdorin gjithnjë e më pak ato për tërheqje cash dhe më shumë për pagesa direkte në biznese dhe shërbime. Kjo tendencë është ndikuar edhe nga rritja e numrit të turistëve të huaj, por Banka e Shqipërisë vlerëson se edhe konsumatorët shqiptarë po orientohen gradualisht drejt pagesave elektronike.
Rritet vlera e pagesave dhe numri i terminaleve POS
Në vlerë monetare, pagesat me kartë në terminale POS arritën në 27.9 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë, ose 22% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht është zgjeruar ndjeshëm edhe infrastruktura për pranimin e pagesave elektronike. Numri i terminaleve POS në fund të tremujorit të parë arriti në 32 224 njësi, duke shënuar një rritje prej 28% në baza vjetore.
Shtimi i terminaleve është nxitur jo vetëm nga kërkesa më e lartë e tregut, por edhe nga programet promovuese të operatorëve ndërkombëtarë të pagesave. Mastercard, përmes bankave tregtare, ka ofruar instalimin e pajisjeve POS pa kosto dhe pa komisione transaksionesh për një periudhë fillestare.
Një tjetër faktor që pritet të japë ndikim të fortë është hyrja në fuqi e detyrimit ligjor për pajisjen me terminale POS. Nga data 30 maj, bizneset e akomodimit, transportit dhe sektori publik do të jenë të detyruar të ofrojnë mundësi për pagesa elektronike.
Ndërkohë, bizneset e tjera do të kenë afat deri në fund të vitit 2026 për t’u pajisur me terminale POS.
Rritet edhe numri i kartave bankare
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i kartave bankare aktive arriti në 1.66 milionë në fund të tremujorit të parë, me një rritje prej 7.8% krahasuar me një vit më parë.
Kartat e debitit vijojnë të dominojnë tregun, me rreth 1.47 milionë karta aktive ose mbi 88% të totalit të kartave bankare në qarkullim. Ky instrument mbetet forma kryesore e pagesës për individët dhe bizneset.
Ndërkohë, edhe segmenti i kartave të kreditit ka shënuar rritje të lehtë. Në fund të tremujorit të parë, bankat raportuan afro 120 mijë karta krediti aktive, ose 2% më shumë se një vit më parë.